TIRANË- Gjykata e Apelit ka marrë një vendim drastik pas vrasjes në sallën e gjyqit të magjistratit Astrit Kalaja. Ditën e sotme do të pezullohen të gjitha gjyqet në Gjykatën e Apelit, dhe asnjë qytetar nuk do të jetë i pranishëm në ambientet e këtij institucioni. Ndërkohë, do të hidhet shorti vetëm për 12 masa sigurie, pasi mbaron afati. Për këto masa, ishte zgjedhur gjyqtari Astrit Kalaja.
Gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua me 3 plumba nga 30-vjeçari Elvis Shkambi, ndërsa humbi jetën rrugës për te Trauma, pasi nuk u mbijetoi plagëve të marra. Në seancën gjyqësore mbetën të plagosur Ragip dhe Ervis Kurtaj babë e bir, palë në këtë proces, të cilët gjithashtu u qëlluan qëllimisht nga autori.
Menjëherë pas ngjarjes, autori është vetëdorëzuar tek uniformat blu pranë Gjykatës së Apelit. Tashmë në pranga ka rënë edhe xhaxhai i tij, Gjon Shkambi. Gjithashtu edhe roja e sigurisë së Gjykatës së Apelit, i cili lejoi hyrjen e armatosur të autorit në ambientet e gjykatës, ku ndodhi krimi. Megjithëse, burime pranë policisë kanë bërë me dije se autori arriti të hynte me armë, pasi prej ditësh detektori metalik që bën kontrollin për armë të ftohta apo zjarri, prej një muaji ishte jashtë funksionit./ZËRI


