Aktualitet

Vrasja e Jani Aliajt, kthesa e papritur e hetimeve, dyshohet se u qellua nga një prej kriminelevë me të rrezikshëm shqiptar në Koridhalos

Jani Aliaj u ekzekutua me thikë brenda burgut Koridhalos në Greqi më 19 janar, por informacionet mbi planin për ta vrarë Aliajn ishin të hershme për policinë greke

E.K
Vrasja e Jani Aliajt, kthesa e papritur e hetimeve, dyshohet se u qellua nga
XHULIANO HALILI DHE JANI ALIAJ

GREQI- Vrasja e 49-vjeçarit Jani Aliaj brenda burgut të sigurisë së lartë në Koridhalo ka marrë një kthesë të re, ndërsa grupi hetimor ka ngritur dyshime të forta se autor i krimit mund të jetë Xhuliano Halili, 44 vjeç, nga Tepelena, i dënuar me burgim të përjetshëm.Halili ndodhej në të njëjtin sektor me viktimën dhe në qeli pranë tij. Ai rezulton i plagosur gjatë ngjarjes, çka ka shtuar dyshimet se ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në vrasje.

Fillimisht, përgjegjësinë për krimin e mori përsipër një i burgosur grek, 27-vjeçari Kristos Vardhuniotis, i cili iu vetëdorëzua policisë duke deklaruar se ishte autori. Megjithatë, autoritetet kanë vënë re se në trupin e tij nuk ka shenja përleshjeje, ndërsa i vetmi i dëmtuar fizikisht në vendngjarje ishte Xhuliano Halili.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije për Top Channel se brenda komunitetit të burgjeve është përfolur që në orët e para pas ngjarjes se Halili është autori real, ndërsa i burgosuri grek dyshohet se është paguar ose kërcënuar për të marrë përsipër fajin. Këto informacione kanë shtyrë policinë greke të thellojë hetimet dhe të rishikojë versionin fillestar të ngjarjes.

Ndërkohë, burime të tjera bëjnë me dije se Jani Aliaj ishte përmendur prej vitesh në dosje hetimore si person i dyshuar për përfshirje në përplasjet e të ashtuquajturës “Mafia greke”, megjithëse këto dyshime nuk u provuan kurrë zyrtarisht.

Xhuliano Halili, i njohur edhe me nofkën “Niko”, konsiderohet si një prej personazheve më të rrezikshëm të botës së krimit në Greqi. Ai është dënuar me burgim të përjetshëm për disa vrasje me pagesë. Në vitin 2011, në Kalamata, ai akuzohet se vrau Fillim Mesajan dhe djalin e tij të mitur, një krim i porositur për larje hesapesh nga krimineli grek Vasilis Varelas.

Në vitin 2018, Halili u arratis nga Porti i Pireut gjatë transferimit drejt burgut, por u kap pak orë më vonë. Në qershor të vitit 2024, brenda po të njëjtit burg të Koridhalos, ai vrau Alfons Ndocin dhe plagosi një tjetër të burgosur, një ngjarje që dyshohet se ishte porositur nga jashtë.

Autoritetet greke po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e vrasjes së Jani Aliajt dhe për të përcaktuar autorin e vërtetë të krimit.

Jani Aliaj u ekzekutua me thikë brenda burgut Koridhalos në Greqi më 19 janar, por informacionet mbi planin për ta vrarë Aliajn ishin të hershme për policinë greke. Sipas mediave greke, Aliaj ishte transferuar më parë në burgun e grave për arsye mbrojtjeje, duke pasur parasysh ekzistencën e një atentati kundër tij. Raportohet se dy muaj më parë Aliaj kishte marrë sulmin e parë ndaj tij në burg dhe kishte shpëtuar, por pavarësisht qartësisë për rrezikun ndaj jetës së tij, nuk u morën masa mbrojtëse. Aliaj kishte fituar gjithashtu edhe ‘status mbrojtje’, ndërsa në qeli qëndronte i izoluar me një ish-oficer policie i dënuar për trafik droge. 49-vjeçari nga Tepelena ishte arrestuar në Greqi më 31 dhjetor 2024. Ai ishte dënuar me burg të përjetshëm në Shqipëri për vrasjen e Elton Çiços në Tiranë në 2016, një ngjarje që lidhej me hakmarrje./ZËRI

Poll

MOS HUMB