VLORË- Prokuroria e Vlorës ka mbyllur hetimet duke marrë të pandehur tre persona si organizatorë të vrasjes, së Renato Hoxhaj, një roje parkingu në lagjen “Hajro Çakëri”, ngjarje e ndodhur më 27 prill të 2025. Bëhet fjalë për shtetasin me kombësi rumune, i shpallur në kërkim, Daniel Cornea dhe dy ndihmësit e tij shqiptarë, Kleanth Bylyku dhe Eris Mehmetaj.
Sipas gazetarit Elton Qyno, krimi është realizuar nga një grup kriminal kundrejt pagesës. Për këtë, grupi kriminal ka kontraktuar si vrasës të huaj, me kombësi rumune. Qëllimi i vrasjes nuk ka qenë vetëm eliminimi i Hoxhaj, por dhënia e një mesazhi të qartë për kundërshtarët, se lufta mes dy klaneve kriminale në Vlorë do vijojë.
Burime për gazetarin Elton Qyno bëjnë me dije se dy personat e fundit, që aktualisht janë arrestuar dhe mbahen në burg, akuzohen nga prokuroria për veprën penale të “Sigurimit të kushteve për të kryer vrasjen”.
Ndërsa i pandehuri tjetër, shtetasi rumun, Daniel Cornea, që rezulton i shpallur në kërkim, është marrë i pandehur për “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje të armëve të zjarrit”. Cornea, menjëherë pas kryerjes së vrasjes, është larguar në drejtim të Greqisë, duke mos u arrestuar nga ana e policisë shqiptare.
Fillimisht, grupi hetimor e konsideroi ngjarjen të lehtë, pasi nisi hetimet për ndonjë konflikt banal. Por sa më shumë hetohej në lidhje me të, aq më shumë ndërlikohej krimi. Një kamera amatore kishte fiksuar atentatorin, i cili dukej që jo vetëm ishte tërësisht i maskuar, por madje edhe me formë trupore të stërmadhe. Por ishin sërish kamerat e sigurisë nëpër qytetin e Vlorës që arritën të fiksonin një automjet të dyshimtë.
Ndjekja e tij çoi në zbulimin e personit që e kishte atë mjet, i cili dëshmoi se makinën ia kishte dhënë një të njohuri të vet dhe se nuk ishte në dijeni se ku kishte përfunduar. Hetimi zbuloi se Renato Hoxhaj punonte jo vetëm si roje nate në një parkim, por edhe si roje pranë banesës së një eksponenti të njohur të krimit të organizuar në Vlorë, me inicialet G.S.
Sipas policisë dhe prokurorisë së Vlorës, vrasja e Hoxhaj lidhet pikërisht me konfliktet e këtij të fundit. Pritet që tashmë çështja ndaj 3 të pandehurve, Daniel Cornea, Kleanth Bylyku dhe Eris Mehmetaj, t’i nënshtrohet procesit gjyqësor në gjykatën e Vlorës.
Renato Hoxhaj u ekzekutua me katër plumba mëngjesin e 27 prillit. Viktima ka marrë dy plumba në kokë dhe dy në trup. Autori ende i paidentifikuar ka lëvizur me një makinë tip "Range Rover" që është pikasur para dhe pas krimit dhe më pas ka humbur çdo gjurmë, ndërsa rezulton se ky mjet është blerë rreth 3 javë para krimit në Tiranë. Vrasja dyshohet të jetë porositur nga Dubai, ndërsa për të vënë në jetë planin e ekzekutimit të Hoxhajt më 27 prill, autorët kanë përdorur 3 automjete./ZËRI




