
TIRANË- 9 gusht 2020 ishte data e fundit kur dikush pa dhe foli me Ervis Martinajn. Që nga ajo ditë, për fatin e bossin e lojrave të fatit ka pasur shumë aludime. Gazetarët dhe jo vetëm janë të ndarë në disa grupe; disa mendojnë se ai është rrëmbyer dhe është vrarë, ndërsa të tjerë besojnë se janë ai është ende gjallë, por i fshehur, larg shtetit dhe armiqve të tij. Por në fakt, ndër rreshta Policia e Shtetit e ka dhënë përgjigjen. Për ministrin e Brendshëm, Taulant Balla fati i tij është një ngjarje e pazbadhur, duke lënë të kuptohet se diçka ka ndodhur; pra vrasja dhe eliminimi i tij është bërë. Por nuk ka prova!
Por edhe pse i zhdukur, emri i tij rikthehet herë pas herë në vëmendje sa herë goditet ndonjë kundërshtar i tij; apo SPAK zbardh një dosje të re, siç ishte rasti i "Revanshit". Në dokumentin, thuajse 250 faqe që kishte përgatitur SPAK, emri i tij përmendet disa herë duke porositur vrasje, duke paguar për vrasje, duke u përplasur me kundërshtarët e tij, etj.
Por kush ishte/është Ervis Martinaj?
Një portret më të gjerë të tij e ka bërë gazetari investigativ, Artan Hoxha, i cili përshkruan jetën e personit që dominoi një pjesë të mirë të botës së krimit në Shqipëri. Si hyri një djalë me dy fakultete në botën e krimit? Çfarë e detyroi që të braktiste jetën si biznesmen për t'u përfshirë në krim? Për aq kohë sa emri i tij përmendej, ai ishte një personazh me influencë jo vetëm në atë që përfaqësonte, por edhe në media. Hoxha tregoi se si Ervis Martinaj tentoi të ngrejë një grup mediatik që do operonte në Shqipëri dhe Kosovë, sigurisht për t'i dhënë atij edhe më shumë pushtet. Lidhjet me krimin, gjyqësorin dhe politikën i kishte të siguruara, kështu që kishte në plan të ngrinte dhe një pushtet që ndoshta nuk i përgjigjej ashtu siç donte. Edhe pse kjo kishte shumë pak gjasa që të kishte ndodhur pasi kompania e tij kishte reklamë në thuasje të gjitha mediat që operonin në Shqipëri. Megjithatë plani i tij për të krijuar një media nuk u finalizua kurrë, për arsye që nuk dihen! Ndoshta sepse i nisën problemet dhe emri i tij po përmendej gjithmonë e më shumë. Gjithmonë e më shumë i lidhur për ngjarje të rënda kriminale.
PJESË NGA FJALA E ARTAN HOXHËS:
Ervis Martinaj u bë një person i rëndësishëm, u bë i tillë. Ervis Martinaj do të ngelet dhe duhet të studiohet në akademitë e Policisë dhe si një fenomen. Ai nuk ishte ganster, ai ishte biznesmen, i rritur në një familje intelektuale. Babai, nëna; babai ishte me origjinë në Martinaj të Gucisë. Nuk është e vërtetë që është i afërt me Liri Berishën. Nëna është nga Dhërmiu. Kanë jetuar në Mat dhe në Fushë Kuqe, më pas janë vendosur në Tiranë. Të dyja motrat dhe vetë Martinaj kanë si shkollim bazë faktultetin Financë-Biznes. Martinaj ka mbaruar edhe Juridikun. Kur ka hyrë në biznes babai i vetë ka qenë drejtor banke, drejtor i një axhencie financiare. Biznesin e kishte ngritur babai dhe nëna e vetë. Ai kishte biznes të shëndetshëm. Merreshin me lojrat e fatit dhe të këmbimit valutor. Nuk e provoi as urinë dhe as vuajtjen. Ai erdhi nga tjetër fushë dhe prandaj bëri atë që bëri. Biznesi i lojrave të fatit është gjithmonë shumë joshës sepse është biznes vesi. Vesin e kanë edhe deputetë, politikani, fukarai, polici, gjyqtari dhe aty mund t'i kapësh. Ai u fut dhe për shkak të lidhjeve politike që kishte me qeverinë e djathtë. Kjo i dha akses. Por fuqinë më të madhe e pati në 2013. U fuqizua aq shumë saqë kur u ndaluan lojërat e fatit, ai kontrollonte më shumë se 50% të lojrave të fatit në territor. Në Shqipëri kishte deklaruar 16 mijë të punësuar. Biznesi i dha atij "cash", atij i shkonte edhe një politikan kur kishte hall dhe e ka pasur talent të lindur për të kuptuar dobësitë e tjetrit, prandaj u ngjit aq lart. Ka pasur një bllok ai, paguante edhe zyrtarë. Nuk i shpëtoje dot atij. Sa merrej detyra si drejtues policie, atij i shkonte rroga 'vetëm mos na dil kundër'. Ai ishte i aftë të qëmtonte ata që josheshin me para. Ngjarja në Bllok rrëzoi mitin e tij. Kur u bë gangster dhe miksoi dy botët, bëri bashkë biznesin-krimin e organizuar dhe politikën. Ky i bëri bashkë dhe u fut brenda prandaj u kthye në armik publik. Ka detyruar kryeministrin që nuk përmend kurrë emra banditësh, e ka përmendur me emër në fushatë. Ai dhe për t'u mbrojtur vetë por edhe si mjet presioni shkon dhe blen dy vila ngjitur me shtëpinë e Ramës. Ky i vajti tek dera e shtëpisë se ishte dhe diabolik. Garda duke mbrojtur Ramën, mbronte dhe Visin. Kanë tentuar ta godasin me dronë, por bënë llogari se do rrezikonin sigurinë e kryeministrin. E kanë të qartë ata se do i qepej shteti pas! Ai e kaloi në një nivel tjetër krimin, e veshi me papjon dhe kollare. Ngjante me John Gotti-n për prezencën në media. Ka qenë Botërori i 2018, ka qenë sponsor kryesor në të gjithë mediat në Shqipëri. Shkonin dhe i luteshin për reklama. Ai tentoi dhe u fut në cilësinë e aksionerit në disa media në vend, investoi në hapje portalesh, financime të mediave informative. I përdorte edhe kundër kundërshtarëve dhe shtetit. Ideja e tij ishte që të ndërtonte një grup mediatik në Shqipëri dhe Kosovë. Kishte zgjedhur dhe njerëzit, më të rëndësishëm që janë edhe sot në media. Njëri që e sulmon edhe më shumë sot. Aty po shkonte ai, po e rriste potencialin e tij. Gabimi që bëri ai, kishte qejf mise dhe moderatoret...të kapte edhe të dashurat e kundërshtarëve të vetë. Bleu luan në Afrikë, u detyruan të hiqnin fotot në Instagram se u mor vesh. Mesazhin e fundit që ka me familjen e ka për luanin. Sot janë disa bossë krimi që mbajnë kafshë. Nuk e bëjnë se kanë qejf kafshët e egra, por është simbol pushteti dhe fuqie.
Sa i përket fatit të Ervis Martinajt, Artan Hoxha duket se e ka të qartë përfundimin e bossit të lojrave të fatit: ka vdekur!
"Ti në Shqipëri mund t'i fshihesh policisë, SHIK, Shtetit por jo kundërshtarit. Ata ia dinë të gjitha njëri-tjetrit. Gabimi për mua që bëri Martinaj, ishte që ai në kulmin e pushtetit të tij nuk e administroi dot dhe shkeli rregullat. Ka disa kufij që nuk mund t'i kalosh. Bëri armiq të gjithë kundërshtarët e tij. Kishte 15 vite miqësi me vëllezërit Duka. Ai Gjin Ndoji u vra se tha që ata japin 10 mln euro për Vis Martinaj. Skuadrat dalin nga qarkullimi tani, por kur hidhet llokma lëshohen të gjithë hienat për ta kapur. Të gjithë vrasësit me pagesë janë joshur, kanë ardhur nga Kosova, Bullgaria, Shqipëria,"-shtoi gazetari.
Por çfarë ka ndodhur me legacinë e tij, me atë që la pas Ervis Martinaj? Po, një pjesë e mirë e pasurisë së tij dhe familjarëve tashmë është e vendosur nën sekuestro, por ajo që prodhonte para nuk është më nën kontrollin e tij. Lojrat e fatit vazhdojnë në ilegalitet të plotë dhe sjellin fitime si gjithmonë, që përfundojnë në xhepat e kundërshtarëve të tij.
"Dalja e tij nga burgu dhe vendosja në Fushë Kuqe i vuri zjarrin asaj zone. Natyra e Visit ishte përça dhe sundo. Ka bërë fiks këtë gjë. I ka përçarë dhe i ka sunduar. Sa shihte që një grup ngrihej, direkt shkonte dhe e sulmonte. Kur e shihte që nuk çante dot, futej për marrëveshje. Por kjo ide nuk funksinon në një vend kaq të vogël. A mund të fshihet? Mund t'i fshehej kujdo veç atyre që e gjetën dhe e kërkon. Ai u zhduk 1 vit e gjysmë pasi SKY kishte dalë nga qarkullimi. Por SKY të jep indicje për aleancën që të u krijua për ta goditur. Ka arritur puna deri aty, saqë edhe vetë "këta" e kuptuan mos ky Visi po na merr në qafë dhe po na nxit ndaj njëri-tjetrit. Është e ngjashme me "Los Pepes". Shteti në korrik dhe në gusht kanë lejuar që në zonën, 30 km, të ndodhin atentatet. Bllokohej trafiku. Kur ndodh kjo gjë vjen RENEA, ikën krimi. Bosët e krimit nuk ishin me RENEA-n, nuk janë budallenj. Dorëzohen ata dhe bëjnë llogaritë kë prokuror dhe gjyqtar do blejnë. U vra djali i xhaxhait, ndodhën dhe ngjarjet e tjera, shteti nuk del askund. Kur kam dalë për herë të parë pas rrëmbimit, vrasjes dhe zhdukjes së kufomës, kam thënë që edhe shteti ka qenë i interesuar. Por kam thënë jam i shqetësuar pse Sali Berisha nuk flet. Edhe Berisha tha që ajo ndodhi prej shtetit. Gjithë aleanca vuri qëllim në vetëvete për ta nxjerrë nga qarkullimi. Deri në 9 gusht, numri i vrarëve ishte 41, në dhjetor shkoi 44. Shqipëria ra në qetësi automatikisht. Viti pasardhës ka vetëm 34 të vrarë. Aleanca që u krijua nuk do zgjasë pafundësisht, do të marrin në kontroll bizneset dhe pasuritë e tij. Vazhduan lojërat e fatit, tani vazhdojnë me njëri-tjetrin. Ata sjellin informacion shumë të saktë tek Policia. Grupet më të fuqishme sot në Shqipëri godasin kundërshtarin duke përdorur edhe lidhjet e shtetit me informacione,"-e mbyll profilin gazetari.
Se çfarë ka ndodhur vërtetë natën e 9 gushtit ndoshta do të duhet shumë kohë ta mësojmë, ose nuk do ta marrim vesh kurrë. Por diçka është e sigurtë, emri i Martinajt do të vazhdojë të dëgjohet për vrasje, plane "diabolike" dhe skemat që i luante kundërshtarëve të tij për t'i marrë pushtetin që dikur e kishte një nga personat më të fuqishëm në Shqipëri. Emri i tij është ngritur si një mit...që sigurisht që nuk duhet ndjekur nga askush./ZËRI