Aktualitet

“Dosja 5D”/Apeli i Posaçëm shpëton nga burgu 5 ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës, mes tyre drejtoreshën e "Tirana Parking"

Të 5 të pandehurit janë dënuar me shërbim prove për 12 muaj.

E.K
“Dosja 5D”/Apeli i Posaçëm shpëton nga burgu 5
Eglantina Zere

TIRANË- Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur sot që të pezullojë, vujajtjen e dënimit me burg për pesë ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës, të pandehur në një prej fraksioneve të dosjes së njohur si “5D”.

Trupa gjykuese, e kryesuar nga Miliana Muça, me anëtare Saida Dollani dhe Tereza Merkaj, la në fuqi vendimin e shkallës së parë, por ndryshoi mënyrën e ekzekutimit të dënimit, nga me burg në shërbim prove.

Në mesin e të pandehurve që i shpëtojnë burgut, është dhe ish-drejtoresha e "Tirana Parking", Eglantina Zere. 

Për: Eglantina Zere, Enkelejda Qyta, Bruno Koçi, Rivjola Baxha dhe Kristo Zhulati, Apeli ka lënë në fuqi dënimet me burg të dhëna nga Shkalla e Parë, por ka vendosur pezullimin e ekzekutimit të dënimeve me burg dhe lënien e tyre në Shërbim Prove.

Ata u shpallën fajtorë për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.

Apeli vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg dhe vendosjen e tyre në shërbim prove për 12 muaj, me detyrimin për t’u paraqitur pranë Shërbimit të Provës dhe për të mos kryer vepra të tjera penale.

Gjithashtu, të pesëve u është hequr e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh.

Zyrtarët e bashkisë Tirane u akuzuan nga SPAK, se favorizuan në mënyrë të paligjshme një kompani të zotëruar “de facto” nga ish-kreu i Ujësjellësit, Redi Molla dhe ai i IMT-së, Mariglen Qato, duke e ushqyer atë me tendëra publikë.

Vendimi u shpall gjatë kësaj të enjteje dhe ndaj tij lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 15 ditëve. Më herët në kuadër të dosjes 5D u lirua nga burgu dhe një prej drejtorëve të arrestuar, Taulant Tushe./ZËRI

Poll

MOS HUMB